Pratenichki sostav
 
LEGJISLATURA E DEPUTETËVE

 

m-r TALAT XHAFERI 

  Talat Xhaferi ka lindur më 15 prill 1962 në fshatin Forinë, Gostivar, Republika e Maqedonisë së Veriut. Në Çegran, Gostivar, e kryen shkollën fillore në SHFK “Përparimi”. Me kryerjen e shkollës fillore përcaktohet për profesionin e vet të ardhshëm dhe në vitin 1977 regjistrohet në shkollën e mesme të Gostivarit, që mandej në vitin 1978, pasi i kryen me sukses të madh provimet pranuese në gjimnazin Ushtarak në Beograd, të vazhdojë arsimin e vet atje.  Në vitin 1981, regjistrohet në Akademinë Ushtarake e Forcave Tokësore - drejtimi i këmbësorisë, dhe mësimin e ndjek në Beograd dhe në Sarajevë. Diplomon në afatin e parashikuar dhe fiton gradën e nëntogerit. Prej vitit 1996 deri në vitin 1998 u përkushtohet studimeve pasdiplomike, me specializim në detyrat komanduese dhe të shtabit në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihajllo Apostollski”, Shkup, ndërsa në vitin 2013, fiton titullin magjistër, pas mbrojtjes së suksesshme të tezës në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. 

Karrierën në Armatë e fillon në vitin 1985, fillimisht në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ), ndërsa pas pavarësimit të shtetit, respektivisht në vitin1992, është oficer aktiv në Armatën Popullore të Maqedonisë (APM) deri në vitin 2001. 

Në vitin 2001 i bashkëngjitet Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).  

Karrierën e vet politike e fillon në vitin 2002, kur kandidohet për deputet në Kuvend nga radhët e partisë politike Bashkimi Demokratik për Integrim. Vitin e njëjtë zgjidhet edhe për deputet në Kuvend dhe koordinator i grupit parlamentar të BDI-së, ndërsa mandatin e vet e përfundon më 24.12.2004 kur emërohet për zëvendësministër i Mbrojtjes, në të cilin funksion ka qenë deri në vitin 2006.  

Në vitin 2008, përsëri zgjidhet deputet në Kuvend nga radhët e BDI-së, dhe gjatë mandatit të vet aktiv si deputet ka qenë anëtar i: Këshillit të Kanalit të Kuvendit, Komisionit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, Komisionit të Financimit dhe Buxhetit, zëvendës-anëtar i:  Komisionit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë Ujore dhe Komisionit të Çështjeve të Rregullores dhe Mandatit. Ky mandat i Xhaferit karakterizohet edhe me aktivitete të shumta ndërkombëtare në cilësinë e kryetarit të Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në Asamblenë Parlamentare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), në organizim të të cilit u realizua edhe Ros-Rot seminari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Shkup. Nëpërmjet Grupit Parlamentar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për bashkëpunim me Mbretërinë e Suedisë, Grupit Parlamentar të Kuvendit për bashkëpunim me Parlamentin e Austrisë, Grupit Parlamentar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për bashkëpunim me Parlamentin e Bosnjës dhe Hercegovinës në rolin e anëtarit, Xhaferi ka pasur pjesëmarrje aktive edhe në bashkëpunimin bilateral të Kuvendit me parlamentet përkatëse.   
Në vitin 2011, përsëri zgjidhet për deputet në Kuvend. Gjatë këtij mandati, Xhaferi e ktheu vëmendjen e opinionit në vete, kur me mbajtjen e fjalimeve maratonike, e bllokoi miratimin e Ligjit të atëhershëm kontestues për mbrojtësit. Duke i shfrytëzuar mundësitë procedurale, duroi me këmbëngulje në qëllimin për të mbrojtur qëndrimin e vet dhe të partisë dhe praktikisht e futi filibasteringun në Kuvend. Mandati i deputetit i përfundon më 18 shkurt 2013, kur emërohet për ministër i Mbrojtjes. Në një deklaratë për mediumet, gjatë pranim dorëzimit të funksionit të ministrit të Mbrojtjes, Xhaferi deklaroi se qëllimi i tij do të jetë “forcat e armatosura të bëhen simboli i bashkëjetesës, i tolerancës dhe respektimit të dallimeve”. 
Në vitin 2016, për herën e pestë zgjidhet deputet në Kuvend, ndërsa në vitin 2017, zgjidhet Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Më 21 gusht 2020, pas mandatit të tij të gjashtë si deputet, përsëri e fiton besimin e shumicës të deputetëve të Kuvendit dhe zgjidhet Kryetar i dhomës ligjvënëse.   Në mandatin aktual, Xhaferi është kryetar i Komisionit të Çështjeve Kushtetuese, shef i Delegacionit të Kuvendit në Unionin Interparlamentar (UIP), shef i Delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (AP PBEJL). 
  Xhaferi e mbron qëndrimin se, “çdo deputet duhet ti përmbushë pritjet dhe të arsyetojë besimin që ia kanë dhënë votuesit”, së këndejmi, gjatë mandatit, merr pjesë në mënyrë aktive në Komitetin për Marrëdhëniet ndër Bashkësive, Këshillin Nacional të Eurointegrimeve, Komisionit të Çështjeve Kushtetuese si kryetar, në Komisionin Juridiko-Ligjvënës, Komisionin për vlerësimin e bazës së Propozimit për ngritjen e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë të Presidentit të Republikës së Maqedonisë, Komisionit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, Komisionit të Financimit dhe Buxhetit, Komisionit Anketues për Skandalin me përgjimin, Komisionit të Mbikëqyrjes së Zbatimit të Masave për Ndjekjen e Komunikimeve nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe nga Ministria e Mbrojtjes, Komisionit për Mbikëqyrjen e Punës së Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit dhe Agjencisë së Zbulimit, Komisionit të Çështjeve të Emërimit dhe Zgjedhjeve, Komisionit të Çështjeve Kushtetuese, Komisionit të Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive, Grupit Parlamentar të Kuvendit për bashkëpunim me Kuvendin e Republikës së Kosovës, Grupit Parlamentar të Kuvendit për Bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Austrisë, Grupit Parlamentar të Kuvendit për Bashkëpunim me parlamentet e vendeve baltike: Republika e Estonisë, Republika e Letonisë dhe Republika e Lituanisë, Grupit Parlamentar të Kuvendit për Bashkëpunim me Kuvendin e Republikës së Kroacisë, Grupit Parlamentar të Kuvendit për Bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Çekisë.  

Talat Xhaferi flet gjuhën shqipe, maqedonase, serbe, kroate dhe angleze.  Është i martuar me zonjën Mereme Xhaferi, baba i Barletit dhe Besianës, gjysh krenar i Frashrit dhe Ajolës.  


Aktivitete në Kuvend

  • Komisioni i Çështjeve Kushtetuese, kryetar
  • Delegacioni i Kuvendit në Unionin Interparlamentar (UIP), shef i Delegacionit 
  • Delegacioni i Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (AP PBEJL), shef i Delegacionit 

 

Aktivitetet e mëparshme në Kuvend:

  • Koordinator i grupit parlamentar të BDI-së
  • Komiteti i Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive, anëtar
  • Këshilli Nacional i Euro-integrimeve, zëvendës anëtar
  • Komisioni Juridiko-Ligjvënës, anëtar
  • Komisioni për vlerësimin e bazës së Propozimit për ngritjen e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë së Presidentit të Republikës së Maqedonisë, anëtar
  • Komisioni i Mbrojtjes dhe Sigurisë, anëtar
  • Komisioni i Financave dhe Buxhetit, anëtar
  • Komisioni i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive, zëvendës anëtar 
  • Komisioni Anketues për Skandalin me Përgjimin, anëtar
  • Komisioni për Mbikëqyrjen e Punës së Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe Agjencisë së Zbulimit, zëvendës -anëtar
  • Komisioni i Çështjeve të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, zëvendës –anëtar
  • Komisioni i Çështjeve Kushtetuese, zëvendës anëtar 
  • Komisioni i Mbikëqyrjes së Zbatimit të Masave për Ndjekjen e Komunikimeve nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes, anëtar
  • Komisioni i Çështjeve Kushtetuese, zëvendës anëtar 
  • Delegacioni i Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të Traktatit të Atlantikut-verior, me status të delegacionit shoqërues (AP NATO), Shef i delegacionit
  • Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë  në Unionin Interparlamentar (UIP), anëtar
  • Grupi parlamentar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë  për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Kosovës, kryetar
  • Grupi Parlamentar i Kuvendit për Bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Austrisë, anëtar
  • Grupi Parlamentar i Kuvendit për Bashkëpunim me Parlamentet e vendeve Baltike: Republika Estone, Republika e Letonisë dhe Republika e Lituanisë, anëtar
  • Grupi Parlamentar i Kuvendit për Bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Kroacisë, anëtar
  • Grupi Parlamentar i Kuvendit për Bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Çekisë, anëtar                   

Përvoja e mëparshme:

  • 2016 - Deputet, anëtar i BDI-së 
  • 2014-2016 - Deputet, anëtar i BDI-së
  • 2013-2014 – Ministër i Mbrojtjes
  • 2011-2013 – Deputet, anëtar i BDI-së
  • 2008-2011 - Deputet, anëtar i BDI-së
  • 2004-2006 – Zëvendësministër i Mbrojtjes  
  • 2002-2004 - Deputet,  anëtar i BDI-së
  • 1992-2001 – Oficer në ARM
  • 1985-1991 – Oficer në APJ

ARSIMI:

  • Magjistër i studimeve të mbrojtjes
  • 1996-1998 – Studime pasdiplomike –Specializim për detyra të komandës dhe shtabit në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihajllo Apostollski”- Shkup
  • 1981-1985 Akademi Ushtarake, Forca tokësore-Drejtimi i Këmbësorisë, Beograd dhe Sarajevë
  • 1977-1981 Arsimi i mesëm; Gjimnazi Ushtarak, Beograd
  • 1969-1977 Shkollimi fillor: Sh.F. "Përparimi" Çegran,Gostivar 

 

E-posta:pretsedatel@sobranie.mk
 
a

Na ndiqni në:

Ueb faqja e Kuvendi përdor biskotat (cookies).

Biskotat (cookies) përdoren për të përmirësuar përvojën Tuaj të përdoruesit.