Pratenichki sostav
 
LEGJISLATURA E DEPUTETËVE

E mërkurë, 10 nëntor 2021

Fjalimi përshëndetës i Kryetarit Xhaferi në Dialogun parlamentar për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e zbulimit në organizim të DKAF-it

Të nderuar deputetë, përfaqësues të Komisioneve të Mbikëqyrjes së Zbulimit dhe Sigurisë nga Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë,
Të nderuar kolegë deputetë nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut,  E nderuar znj. Antje Fric, zëvendës udhëheqëse e Divizionit për Evropë dhe Azinë Qendrore,
Të nderuar përfaqësues të shërbimeve të tre parlamenteve,
Të nderuar përfaqësues të DKAF-it,
Të nderuar ekspertë,
Zonja dhe zotërinj,

Kam nderin të përshëndes fillimin e këtij dialogu parlamentar dyditor dhe të këmbimit ekspert në të cilin kolegët e nderuar nga parlamenti shqiptar dhe kosovar, bashkë me kolegët e mi të dashur nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut do të diskutojnë për menaxhimin dhe mbikëqyrjen mbi zbulimin në Ballkanin Perëndimor. Mund të konstatoj me kënaqësi se kjo është hera e dytë si takohemi këtë vit, më saktë, më 7 korrik ne kishim një këmbim ekspert virtual në temën “Trajtimi parlamentar me informacionet e klasifikuara dhe krijimi i një dhome të sigurt në Kuvend” në të cilin unë, si Kryetar, kisha nderin të jap këndvështrimin tim, duke pasur parasysh se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është në fazë më të avancuar në rajon, mirëpo, takimi i sotëm është ndryshe, me prezencë fizike dhe kjo për mua paraqet kënaqësi të veçantë, dhe unë shpresoj dhe ju uroj të gjithëve të jeni me shëndet të mirë dhe me pasoja sa më të vogla nga pandemia me Kovid-19. 

Bashkëpunimi i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me DKAF-in është dinamik dhe i frytshëm dha falë atij bashkëpunimi, më 19 nëntor është planifikuar nënshkrimi i edhe një Memorandumi të bashkëpunimit dhe Marrëveshjes për mirëkuptim, që është konfirmim se i nevojitemi njëri tjetrit dhe se bashkë jemi në rrugë të mirë drejt realizimit të projektit “Zhvillimi i mbikëqyrjes parlamentare dhe të pavarur“, që është nevojë dhe domosdoshmëri që të jemi krah për krahu me partnerët tanë në aleancën e NATO-s mirëpo, para së gjithash, për sigurinë e qytetarëve dhe institucioneve tona. Dhe pikërisht për këtë, ky dialog i sotëm ndërmjet kolegëve të tre parlamenteve është forumi i vërtetë për ndarjen e njohurive për zbulimin dhe për diskutimin e trendëve dhe ngjarjeve të reja që kërkojnë qasje inventive kur bëhet fjalë për mbikëqyrjen dhe zbulimin që janë më se të domosdoshëm, për të siguruar pikërisht atë siguri të qytetarëve dhe shteteve. Në këtë kontekst, doemos të mbahet llogari për vijën e hollë ndërmjet përforcimit të sigurisë a në të njëjtën kohë, rrezikut nga ndërhyrja në liritë themelore dhe e drejta në privatësi, a me shfrytëzimin e teknologjisë digjitale dhe të dhënat e grumbulluara, rreziku i atillë është ekzistues dhe real. Ajo mundësi është çdo ditë më e madhe, duke e marrë parasysh evoluimin e teknologjive të reja të mbikëqyrjes digjitale, ndërsa në anën tjetër, mbetja në mekanizmat e njëjta tradicionale të llogaridhënies, e pengon ose zvogëlon efikasitetin e trupave të mbikëqyrjes mbi punën e zbulimit, me çka vihet në provim legjitimiteti dhe kapaciteti demokratik i agjencive të zbulimit dhe sigurisë dhe në të njëjtën kohë, rrënohet besimi i qytetarëve, i subjekteve afariste dhe autoriteteve publike në përgjithësi në politikë.  Prandaj është shumë i rëndësishëm ky dialog i sotëm, në të cilin besoj se ekspertët e ftuar do të prezantojnë mënyra inventive të tejkalimit të asaj zbrazëtire dhe njëherazi do të sigurojë mundësi për deputetët dhe shërbimet që i mbështesin komisionet e mbikëqyrjes mbi punën e shërbimeve të zbulimit dhe sigurisë, me lehtësimin e këmbimit dhe dialogut ndërmjet tre parlamenteve të përforcojnë rrjetin e vet dhe të vendosin themelin për bashkëpunimin e mëtejshëm ndërparlamentar dhe kuptohet, bashkëpunimin me ekspertët e respektuar të lartë të zbulimit dhe mbikëqyrjes. 

Të nderuar kolegë,

Temat e përzgjedhura për panelet e konferencës së sotme janë me të vërtetë të dobishme dhe besoj se debati do të jetë njëlloj interesant për rregullimin e klasifikimit të informatave dhe mbrojtjes së tyre, si edhe çështjes së masave dhe kontrolleve të sigurisë, dhe nëse deputetët që janë anëtarë të komisioneve përkatëse të mbikëqyrjes duhet tu nënshtrohen kontrolleve të atilla që tu mundësohet qasje në informatat e besueshme dhe besoj se edhe këtu ekspertët do të japin kontributin e tyre informativ në drejtim të asaj se si është rregulluar juridikisht kjo çështje në vendet tjera anëtare të NATO-s, siç është në fakt edhe Republika e Maqedonisë së Veriut. Ne, e dini se në dhjetor të vitit 2019 e nxorëm Ligjin për informacione të klasifikuara i cili është përshtatur ndaj standardeve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe me të cilin imponohen norma dhe standarde të caktuara ligjore ndaj Kuvendit, si edhe ndaj të gjitha institucioneve që kanë në dispozicion informacione të klasifikuara, gjegjësisht, të ndërmarrin masa dhe aktivitete për siguri administrative, fizike dhe industriale, për siguri të sistemeve të komunikim-informimit, si edhe siguri të personave-shfrytëzues të informacioneve të klasifikuara dhe besojmë se me të sigurohet nivel i zmadhuar i llogari dhënies nga ana e krijuesve të informacioneve të klasifikuara dhe sigurohet sundimi dhe mbikëqyrja demokratike, edhe pse jam i bindur se sot do të diskutohen edhe anët e fuqishme dhe të dobëta të kornizës ligjore, sepse nuk ekziston ligj i përkryer, apo jo? 
Pjesë të madhe në përmirësimin e punës së shërbimeve të zbulimit ka gjithsesi precizimi i kompetencave dhe çdo komision mbikëqyrës ta dijë dhe ta kuptojë atë proces të shpërndarjes së detyrave dhe rezultatet e pritura nga ato procese dhe gjithsesi përmirësimin e të njëjtave përmes ndarjes së njohurive nga kolegët deputetë të pranishëm dhe ekspertët e ftuar. 

Kolegë të dashur,

Duke e pasur parasysh se DKAF-i është përkushtuar ndaj asaj që shtetet dhe njerëzit të jenë më të sigurt në suazat e sundimit demokratik, sundimit të ligjit dhe respektimit të drejtave të njeriut, mund të them me kënaqësi se jemi në partneritet me DKAF-in në zbatimin e reformave në këtë sektor. Kolegë të nderuar, Ju uroj punë të suksesshme dhe të frytshme gjatë dialogut dyditor.

Ju faleminderit për vëmendjen!

 
a

Na ndiqni në:

Ueb faqja e Kuvendi përdor biskotat (cookies).

Biskotat (cookies) përdoren për të përmirësuar përvojën Tuaj të përdoruesit.