Pratenichki sostav
 
LEGJISLATURA E DEPUTETËVE

E premte, 24 shtator 2021 Budapest, Hungari 

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Takimin e 10-të të kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Evropës Juglindore për zgjerimin 

"Mundësitë e vendeve të Evropës Juglindore dhe kontributi i tyre në ndërtimin e ardhmërisë së Evropës" 

 I nderuar Kryetar i Kuvendit Nacional të Hungarisë, z. Kover,
I nderuar Kryetar i Qeverisë së Hungarisë, z. Orban,
I nderuar Eurokomisar i Politikës Fqinjësore dhe Zgjerimit, z. Varheji,
Të nderuar kolegë,

Zonja dhe zotërinj, 

Më lejoni që në fillim të shpreh falënderim për mbajtjen tradicionale të këtij evenimenti në nivel më të lartë parlamentar të organizuar nga Kuvendi Nacional i Hungarisë dhe Kryetarit Llazllo Kover, që është edhe një dëshmi për angazhimet e Republikës së Hungarisë në dekadat e kaluara për integrimin tonë të përshpejtuar dhe të plotë evropian dhe euroatlantik. Ky është interesi ynë i përbashkët nëse kihet parasysh fakti që potencohet në më shumë raste nga politikanë të lartë evropianë, përkatësisht se, nëse Unioni dëshiron stabilitet më të madh në fqinjësinë e vet, atëherë nevojitet perspektivë e besueshme evropiane për Ballkanin Perëndimor, e bazuar në sistemin e meritave. Mirëpo, doemos duhet të theksoj se ajo perspektivë rrezikon të bëhet e lodhshme dhe joatraktive për ne si vende kandidate nëse dështon dhe nuk i respekton vlerat themelore mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian që në plan të parë e vënë prosperitetin, paqen dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të kontinentit.

Para do kohe, në Republikën e Maqedonisë së Veriut ishin në vizitë senatorë francezë dhe në këtë kontekst, në bisedat me ta, ua bëra me dije situatën aktuale në terren, përkatësisht, paralelisht me përqindjen e lartë të qytetarëve që janë për hyrje në Bashkimin Evropian dhe konsensusin e palëkundur politik, kemi zhgënjim proporcionalisht të lartë, sepse çdo prolongim i ri gjashtëmujor i fillimit të negociatave, neve na i shkurton mundësitë që të përparojmë në ato negociata dhe të punojmë edhe më të motivuar në agjendën evropiane. Franca, si kryesues i ardhshëm i Këshillit të BE-së, pa dyshim do t’i mbështesë aspiratat tona, ndërkaq ne gjithsesi jemi këtu që t'u ndihmojmë për zgjerimin, jo vetëm të bëhet një nga prioritetet e kryesimit të Francës, por të bëhet realitet faktik i shndërruar në start të konferencës së parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian. Zgjerimi si investim gjeo-strategjik sjell investime afatgjate për Unionin në shumë aspekte, përkatësisht në aspektin politik, të sigurisë dhe ekonomik. Ai paraqet mekanizëm të mirë për përparim dhe shpërblime, që na motivon si vende t’i zbatojmë reformat e kërkuara, rezultati përfundimtar i të cilave do të duhej të jetë fillimi i negociatave, qasja në më shumë fonde dhe më në fund anëtarësimi i plotfuqishëm në Union. Besoj se si shtete dëshmuam se mundemi të ballafaqohemi me sfidat e procesit të integrimit dhe t’i zbatojmë me sukses reformat e kërkuara në afatet e parapara, me ç’rast vërtetuam se jemi partnerë seriozë në këtë projekt të përbashkët.

Të nderuar kolegë, 

Republika e Maqedonisë së Veriut ka arritur progres mbresëlënës në fushën e zbatimit të pakos së reformave kryesore, ndërkaq me nënshkrimin dhe zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dëshmuam se mundemi të shërbejmë si model për kohezionin e brendshëm, avancimin dhe kultivimin e marrëdhënieve ndëretnike. Besonim se me nënshkrimin e marrëveshjes me Bullgarinë dhe me pranimin e të gjitha propozimeve të kryesisë së Bashkimit Evropian të propozuara vitin e kaluar, duke përfshirë edhe propozimin nga maji 2021, do ta tejkalojmë edhe kontestin me Republikën e Bullgarisë, megjithatë, fatkeqësisht, përgjigjja nga Bullgaria është në drejtim krejtësisht të kundërt, plotësisht e ndryshon qasjen ndaj procesit, që është në kundërshtim me përpjekjet për përforcimin e besimit dhe dialogut të pandërprerë politik. Kuptohet, situata momentale komplekse në Bullgari e pamundëson dialogun tonë më aktiv, duke përfshirë edhe në nivel parlamentar, ku si kolegë deputetë do të mund të bisedonim më hapur dhe në mënyrë më fleksibile dhe të kontribuonim bashkërisht në tejkalimin e kësaj gjendjeje me gjetjen e kompromisit për çështjet e hapura. 

Megjithatë, edhe krahas të gjitha pengesave, vazhdojmë me procesin e reformave, për vendin, për qytetarët tanë dhe për ruajtjen e notave të larta të marra tanimë. Tanimë njëzet vjet jemi aktivë në kontekst të bashkëpunimit të ndërsjellë në rajonin e Evropës Juglindore dhe rezultatet e mira të gjeneruara vërtetojnë se si vende mundemi të bashkëpunojmë me sukses në rajon dhe të përjetojmë suksese të përbashkëta, që është parakusht kryesor edhe për të ardhmen tonë evropiane. Unë jam i bindur se diplomacia parlamentare mund të vendosë dialog që kontribuon për paqen dhe sigurinë dhe luan rol thelbësor në ballafaqimin me sfidat globale, dhe prandaj jemi aktivë në asambletë ndërkombëtare. 

Të nderuar kolegë,

Në Kartën për marrëdhënie të mira fqinjësore, stabilitet, siguri dhe bashkëpunim në Evropën Juglindore nga viti 2000, bashkërisht jemi obliguar të angazhohemi pa rezervë, mes tjerash, edhe për respektimin e parimeve dhe normave të Kartës së Kombeve të Bashkuara, shpresoj se këto postulate do të ndihmojnë në zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe në këtë mënyrë do të kontribuojnë për përshpejtimin e procesit të eurointegrimeve.

Ju faleminderit për vëmendjen!


 
a

Na ndiqni në:

Ueb faqja e Kuvendi përdor biskotat (cookies).

Biskotat (cookies) përdoren për të përmirësuar përvojën Tuaj të përdoruesit.