Aktivitete

E hënë, 11 tetor 2021

Fjalimi i nënkryetarit Goran Misovski me rastin e 11 Tetorit

I nderuar zëvendëskryeministër i parë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Artan Grubi, të nderuar përfaqësues të Qeverisë,
Të nderuar kolegë deputetë,
Të nderuar përfaqësues të Kabinetit të Presidentit të Republikës,
E nderuara nënkryetare e Këshillit Kryesor të Lidhjes së Luftëtarëve të LNÇAM-së, znj. Elena Grujovska,
I nderuar Kryetar i Qytetit të Shkupit, z. Petre Shilegov,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë sot t'ju përshëndes të gjithë të pranishmëve këtu në këtë Kompleks Memorial dhe të uroj, në emër të Kryetarit Xhaferi, kolegëve deputetë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal këtë përvjetor të rëndësishëm, 80-vjetorin e Ditës së Kryengritjes Popullore - 11 Tetorin, e cila shënon aktin e kundërshtimit me vendosmëri të së keqes më të madhe në historinë e njerëzimit, fashizmit, ideologjisë politike që solli vetëm humbje, dhimbje dhe shkatërrim dhe na përballoi të gjithëve me anën e errët të njeriut dhe fuqinë e madhe dhe shkatërruese të asaj ane.

Kjo ditë shënon fillimin e luftës vendimtare për liri dhe dinjitet, me të cilën ne, përkatësisht brezi i atëhershëm luftëtar antifashist, dhanë kontribut të madh në luftën globale dhe fitoren përfundimtare të së mirës mbi të keqen në Luftën e Dytë Botërore. Me atë akt guximtar dhe vetëmohues, ata bënë një zgjedhje dhe bënë zgjedhjen e duhur, duke zgjedhur anën e duhur me të cilën e përcaktuan edhe fatin e popullit, edhe të ardhmen e shtetit.

Ata na kanë lënë betim, të cilin pavarësisht nga të gjitha rrjedhat historike, trazirat në rajon dhe në botë, nuk duhet ta harrojmë kurrë, dhe ky është, të jemi gjithmonë në anën e duhur, në anën e së mirës, në anën e drejtësisë kundrejt padrejtësisë, duke luftuar vazhdimisht për një jetë të lirë, dinjitoze, të drejtë dhe po aq të mirë dhe cilësore për të gjithë. Me këtë i qëndrojmë besnik betimit dhe besimit të tyre në drejtësi, barazi dhe njerëzi, me të cilët arritën të bashkojnë dhe të udhëheqin popullin në luftën nacionalçlirimtare, ndërsa populli ishte atëherë si tani, një përzierje e të gjitha komuniteteve etnike në vend, e të gjitha feve, kulturave, gjuhëve dhe statuseve sociale dhe falë atij uniteti të brendshëm të popullit, natyrisht edhe në bashkëpunim me vendet kryesore në aleancën antifashiste, luftuan për lirinë dhe më pas edhe për të ndërtuar shtetësinë. Prandaj, sot, kur festojmë 11 Tetorin, këtu, në këto varreza partizane, i respektojmë të gjithë ata që dhanë gjënë më të çmuar - jetën dhe shkuan në vendpushimin e përjetshëm, në mënyrë që brezat e ardhshëm t'i gëzojnë bekimet e jetës, në liri, me dinjitet dhe kokën lartë.

Të nderuar të pranishëm,

Ekziston një rrugë e gjatë që njerëzimi ka bërë pasi i luftoi forcat e së keqes. Luftimet e popujve kanë ndryshuar me kalimin e viteve, ndërsa mënyrat e luftës gjithashtu kanë ndryshuar në përputhje me sfidat moderne të sjella nga zhvillimi i shpejtë teknologjik. Historia dhe njeriu në ne, na siguron se e mira fiton gjithmonë dhe se shumica gjithmonë përpiqet dhe është në anën e së mirës, për të jetuar në liri, për të jetuar në paqe dhe për të jetuar më mirë.

Sidoqoftë, nuk është e lehtë! As nuk ishte, as nuk do të jetë! Mësimet e së kaluarës le të jenë mësim dhe të mbahen mend, në mënyrë që të mos përsëriten kurrë, sepse, në rrugën e rritjes dhe pjekurisë sonë, si dhe mbijetesës si shtet, u përballëm me shumë sfida që na mësuan se, pavarësisht përkatësisë etnike dhe fetare, duhet të jetojmë së bashku, të mbrojmë atdheun dhe të veprojmë të gjithë së bashku dhe të bashkuar në të njëjtin drejtim dhe për të njëjtin qëllim.

Këtë vit, Republika e Maqedonisë së Veriut shënoi dy përvjetorë të rëndësishëm, 30-vjetorin e shpalljes së pavarësisë në referendum më 8 shtator 1991 dhe 20-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila ishte baza për transformimin në shoqëri multietnike, multikulturore dhe multikonfesionale, shtet i qytetarëve të barabartë në të cilën respektohen të drejtat individuale dhe kolektive të njeriut, shtëpi e barabartë për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, gjinore dhe çdo përkatësie tjetër.

Vendi ynë është bërë shembull pozitiv për rajonin dhe botën. Ishim të guximshëm dhe të vendosur në miratimin e vendimeve që nënkuptonin të ardhme më të mirë dhe më të sigurt për qytetarët tanë. U bëmë anëtarja e 30-të e NATO-s.

Anëtarësimi i plotë në NATO është sukses i madh, që do të thotë edhe siguri për qytetarët tanë dhe integritetin tonë territorial.

Nuk mund të injoroj edhe rrezikun global që ka përfshirë të gjithë botën, pandeminë e virusit KOVID-19, që shkaktoi humbje të mëdha njerëzore dhe materiale, dhe në të njëjtën kohë, e ndryshoi mënyrën e përgjithshme të jetës dhe funksionimin e të gjithë njerëzimit. Sidoqoftë, të nderuar miq, jam i bindur se pavarësisht sfidave të mëdha që kemi kaluar, kemi forcën, vullnetin, vendosmërinë dhe vizionin se ku duam ta shohim Republikën e Maqedonisë së Veriut, dhe çfarë lloj shtëpie dëshirojmë të ndërtojmë për qytetarët tanë. Kemi një shtet të përbashkët dhe të gjithë jemi përgjegjës për ta ruajtur dhe zhvilluar, për ne dhe për brezat e ardhshëm. Dhe jo vetëm kaq!

Të ecim së bashku në rrugën e integrimit euroatlantik dhe të ndërtojmë të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurt për vendin, të ndërtojmë shoqëri në të cilën të gjithë, tani dhe në të ardhmen, do të ndihemi të barabartë dhe të respektuar, ndërsa të rinjtë tanë do të ndërtojnë të ardhmen këtu, në shtëpi, ku është edhe vendi i tyre. Vendi që do të jetë shembull suksesi në histori, me qasje të hapur dhe të sinqertë ndaj fqinjëve, ndaj vendeve mike dhe partnere, sepse ndarjet nuk i sjellin asgjë të mirë askujt, dhe në këtë botë vetëm bashkimi të çon drejt përparimit.

Të nderuar miq,

Qoftë i përjetshëm dhe urime 11 Tetori - Dita e Kryengritjes Popullore!

 
a

Na ndiqni në:

Ueb faqja e Kuvendi përdor biskotat (cookies).

Biskotat (cookies) përdoren për të përmirësuar përvojën Tuaj të përdoruesit.